Brad Arnold, këngëtari i grupit të njohur 3 Doors Down, ka bërë të ditur se është diagnostikuar me kancer në veshka në stadin e katërt.
Artisti 46-vjeçar tha në një video të publikuar në Instagram se ka “karcinomë qelizash të pastra në veshkë, e cila është përhapur në mushkëri”, duke shtuar: “Dhe kjo është stad i katërt, çka nuk është aspak mirë.”
Grupi fitoi famë në fillim të viteve 2000 me hite si Kryptonite, Here Without You dhe It’s Not My Time, dhe ka shitur mbi 13 milionë albume vetëm në SHBA.
“E besoj tani që It’s Not My Time është me të vërtetë kënga ime,” u shkroi Arnold fansave në përshkrimin që shoqëronte videon. “Kjo do të jetë një betejë, ndaj kemi nevojë për luftëtarët tanë të lutjeve!”
3 Doors Down u ngritën nga shteti i Misisipit duke u afirmuar me këngën Kryptonite, që arriti në vendin e tretë në SHBA në vitin 2000.
Albumi i tyre debutues The Better Life ishte albumi i 11-të më i shitur i vitit në SHBA. Grupi u rikthye në top pesëshe me singlat Here Without You dhe When I’m Gone në vitin 2002, dhe arritën majat e klasifikimeve në SHBA me albumet Seventeen Days (2005) dhe 3 Doors Down (2008). Ata performuan gjithashtu në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Donald Trump në vitin 2017, njofton telegrafi.