Shkodra Elektronike u bë protagoniste në “Një Shqipëri” në RTSH me Mentor Nazarkon, i cili, si autor dhe drejtues thekson se ideja, shtysa dhe lajtmotivi i këtij emisioni është “shqiptari i mirë”, shqiptari i palodhur në rrugën e tij të suksesit, qoftë brenda apo jashtë Shqipërisë.
Një bisedë e këndshme mes miqsh artistë, autorë dhe bashkëpunëtorë të suksesit “Zjerm”, për mënyrën sesi lindi kënga që rrëmbeu zemrat e votat e mbarë shqiptarisë, duke fituar “Fest 63”.
Në një moment, Nazarko u drejtohet artistëve që jetojnë jashtë, se tanimë ata janë pjesë e këtij suksesi të diasporës shqiptare dhe e çdo shqiptari që, me dinjitet afirmon këtë përkatësi, këtë ndjenjë kombëtare. Kështu, – thotë Nazarko, – ky shqiptar e ka ditur dhe e ka ngjallur këtë krenari kombëtare, dukuri që është themelore për suksesin e grupit, në skenën europiane dhe botërore… pse jo!
Që nga dita e parë kur hodhën online këngët popullore shkodrane të rregulluara në elektronikë, një grup i të rinjve shqiptarë në diasporë nuk kishte imagjinuar se do të merrte mesazhe nga bashkëmoshatarë të tyre që zbulonin, për herë të parë, zërin e gjyshes përmes një tingëllime moderne.
“Të rinj që nuk e kishin dëgjuar kurrë më parë muzikën shkodrane na shkruanin: ‘Këto janë këngët e gjyshes sime, por gjyshja ka vdekur herët dhe nuk i kam dëgjuar më,’” – tregojnë Bea dhe Kola, duke shtuar se “tani mund t’i dëgjoj në një mënyrë moderne dhe mund t’i këndoj edhe vetë”.
Identiteti që ndizet si zjarr, jo si hi që ruhet
Nuk është fjala për një nostalgji të zakonshme, por për një ngjarje kulturore që ka gjeneruar një valë të re përkatësie kombëtare dhe krenarie për origjinën. Në një koment që përmbledh filozofinë e tyre, njëri nga anëtarët citoi kompozitorin gjerman Carl Maria von Weber.
“Tradita është me mbajtur të ndezur flakën, jo me adhuruar hinin.”
Pikërisht kjo frymë i ka bërë artistë, si Arjan Paci të bashkohen me projektin, duke e kthyer atë në një urë mes brezash dhe kontinentesh.
“Kur njeh rrënjët, je më i plotësuar”
Beatriçe, njëra nga zërat e rinj të projektit, e mbylli me një reflektim personal por shumë domethënës për gjithë rininë shqiptare në emigracion: “Jam rritur jashtë vendit. E di çfarë do të thotë të ndihesh pak italian, pak shqiptar, pak europian, pa e ditur mirë kush je. Kur ke gjërat e tua, bagazhin tënd, je një njeri më i plotësuar. Kjo na pëlqen./RTSH