Nga: Dashnim HEBIBI, Zürich
Ta ndihmojmë bashkëkombasin tonë që po udhëton botën me një motor modest, por me një mision të madh e fisnik – të hyjë në Librin e Rekordeve të Ginisit si shqiptari i parë që përshkon globin me motor. Ai quhet Dashnor Balliu, vjen nga Shqipëria dhe tashmë ka përshkuar të gjithë Evropën. Udhëtimin e tij e shoqëron gjithmonë flamuri kuq e zi dhe mesazhi krenar se është shqiptar dhe se e do lirinë. Prej muajit gusht të vitit 2023 e ka filluar udhëtimin dhe do të zgjasë katër vjet.
Ai është nisur me motorin e tij Suzuki 1000cc, të vjetër por me shpirt e zemër për të realizuar një ëndërr që ka mbjellë frymëzim te shumë bashkëkombas.
Aktualisht ndodhet në Afrikë, duke kaluar nëpër vende ku nuk ka shkelur më parë asnjë shqiptar, e duke përçuar me shumë dashamirësi zërin, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar.
Udhëtimi i tij nuk ka qenë i lehtë. Ka përballuar sfida të mëdha, përfshirë probleme me vizat dhe shëndetin, por nuk është ndalur. Ka udhëtuar me bukë e ujë, pa shumë mjete financiare, vetëm me vullnetin dhe pasionin për ta përmbyllur këtë mision të jashtëzakonshëm. Së fundmi ka qenë në Mali, ndërsa aktualisht ndodhet në Burkina Faso, dhe planifikon të përshkojë të gjitha shtetet afrikane, për t’u kthyer më pas në Tunizi. Në vitin që vjen planifikon të vazhdojë rrugëtimin e tij në Azi, Amerikë dhe pjesën tjetër të Evropës.
Një ndër mbështetësit më të mëdhenj të tij është mërgimtari një veprimtar i njohur z. Qemajl Sermaxhaj nga Zvicra, i cili përmes miqve të tij në klubin e motoristëve “Shqiponjat” dhe shumë sportistëve e veprimtarëve të tjerë shqiptarë, është angazhuar për t’i lehtësuar udhëtimin Balliut. Ndihma ka qenë edhe në aspektin logjistik, përfshirë sigurimin e vizave në disa vende afrikane, si përmes sportistit të njohur Tefik Bajrami, ish-kampion i boksit.
“Dashnori nuk është i familjes sime, por është bashkëkombas i yni, dhe unë e ndjej për detyrë ta ndihmoj. Kemi kontakte të përditshme me të. Ka shumë vullnet, por i mungojnë mundësitë financiare. Prandaj u drejtohem të gjithë bashkatdhetarëve që ta ndihmojmë të realizojë këtë ëndërr të madhe dhe ta bëjmë krenar kombin tonë,” – thotë z. Sermaxhaj për qendrën tonë mediale SAM24.info.
Nëse arrin të realizojë këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm, Dashnor Balliu do të jetë shqiptari i parë që hyn në Librin e Ginisit me një mision të tillë. Ai është një “shqiponjë e lirë” në rrugët e botës, që përçon krenari, kulturë dhe identitet shqiptar. Misioni i tij ka filluar pra në gushtin e vitit 2023.
Kushdo që dëshiron të ndihmojë, mund të kontaktojë drejtpërdrejt me z. Qemajl Sermaxhaj.
Së shpejti, do të informojmë lexuesit tanë për destinacionin e radhës të këtij udhëtari të jashtëzakonshëm. Le ta ndihmojmë së bashku!
SAM24.info