Nga Arian Galdini
Skicë Filozofike:
Asgjë nuk e shndërron njeriun më shpejt në bishë, se frika. Jo ajo frikë që thjesht tremb, por ajo që e bën njeriun të humbasë veten për ta ruajtur. Ajo që i ndryshon fytyrën ndërsa i pëshpërit:
“Mbrohu, edhe nëse do të thotë të shkelësh mbi të tjerët.” Në çastin kur frika hyn në thelbin e turmës, ajo nuk është më emocion, ajo bëhet sistem. Turmat që nuk ndalen për të menduar, janë fushëbeteja të zbrazëta ku logjika vritet pa gjurmë. Frika, si një zot që nuk kërkon as bindje, as argument, thjesht thotë:
“Unë jam këtu, dhe ti do të veprosh për mua.”
Dhe kështu, fillon errësimi më i rrezikshëm, ai që vjen jo nga padituria, por nga dorëzimi. Kur njeriu zgjedh të mos pyesë më, ai nuk pushon së menduari, ai pushon së ekzistuari si qenie. Frika ka një dhunti të errët, ajo nuk vjen vetëm. Ajo sjell me vete armiq imagjinarë, kauza false, besime që kërkojnë viktima për tu dukur të vërteta. Ajo i ngjan një tymi që mbështjell gjithçka, dhe sa më shumë përpiqesh ta kuptosh, aq më shumë syri bëhet i padobishëm.
Njerëzit nuk lindin mizorë.
Ata bëhen mizorë kur frika e tyre kërkon të duket si guxim. Kur ajo që nuk kuptojnë, duhet përjashtuar, dhe ajo që i sfidon, duhet zhdukur për të mbijetuar. Dhe kështu, turma nuk bëhet mbështetje, bëhet gjykatë pa mendim. Varr pa arsyetim.
Hakmarrje pa kujtesë.
Civilizimi nuk rrëzohet me shpata. Rrëzohet me mendje të frikësuara që fillojnë t’i besojnë idesë se mirësia është luks, qetësia është dyshim, dhe arsyetimi është armik. Kur njeriu frikësohet, ai nuk kërkon më të kuptojë, ai kërkon të veprojë. Edhe nëse veprimi i tij e shkatërron veten. Sepse frika nuk kërkon drejtësi.
Kërkon siguri të menjëhershme.
Dhe ajo siguri është zakonisht një iluzion që ha të gjallët. Njeriu që vepron nga frika nuk është më njeri. Është vegël. Dhe vegla nuk pyet kurrë për pasojën. Vetëm një gjë mund ta ndalë zinxhirin e tmerrit që ushqen vetveten: Vetëdija individuale që nuk dorëzohet. Qenia që guxon të rrijë në mes të zhurmës dhe të thotë:
“Unë nuk jam turma.
Unë nuk jam frika.
Unë jam mendje.
Dhe mendja ime nuk do t’i nënshtrohet panikut të botës.” Nuk është e lehtë të mos bëhesh pjesë e zhurmës. Por është më e tmerrshme të bëhesh pjesë e krimit në emër të mbijetesës. Kur frika të thotë të mbyllësh zemrën, kujto se e ke humbur qëllimin e të jetuarit në momentin që jeton vetëm për të mos humbur. Dhe kur gjithçka tjetër të thërret të bëhesh si të tjerët, kujto se mendja jote është mbrojtja më e fundit që bota ka për të mos u kthyer në një epokë ku njeriu nuk është më njeri, por reagim.
SAM24.info