Bashkëbisedoi: Dashnim Hebibi
Prof. Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it në kantonin e Cyrihut
Në një kohë kur gjuha shqipe në diasporë duhet pranuar se po shihet se po rrezikon të humbasë mes sfidave të asimilimit dhe përçarjeve komunitare, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) vazhdon të jetë një nga shtyllat më të qëndrueshme të ruajtjes së identitetit kombëtar ndër brezat e rinj shqiptarë në Zvicër. Një ndër figurat më të angazhuara në këtë mision fisnik është edhe profesor Naser Ulaj, mësues dhe veprimtar i devotshëm që prej tri dekadash.
Në një bisedë të hapur e miqësore për Qendrën Mediale SAM24.info e konkretisht per rubrikën „9 minuta me Dashnimin“, Prof. Ulaj na rrëfen për sfidat e përditshme, përpjekjet e pandalura, si dhe për mungesën e përkrahjes nga institucionet shqiptare në një kohë kur kontributi i diasporës vazhdon të jetë i pallogaritshëm për çështjen kombëtare.
LAPSH-i në Cyrih, një bastion i gjuhës dhe kulturës shqiptare
“Gjuha shqipe do të jetoj për jetë,” nis rrëfimin e tij Prof. Ulaj. “Kemi shënuar 35 vjetorin e LAPSH-it në Cyrih dhe jemi në 35 vjetorin e saj. Në këtë periudhë, përmes shumë sfidave me shumë arsimdashës e veprimtarë të të gjitha sferave në të mirë të shoqërisë, kemi arritur të mbajmë të gjallë gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar ndër fëmijët tanë në Zvicër.”
LAPSH-i i Cyrihut numëron rreth 400 nxënës dhe një staf prej 14 mësuesish dhe bashkëpunëtorësh. Mësimi zhvillohet në 13 lokacione të ndryshme, të shpërndara nëpër komuna të ndryshme të kantonit. Çdo klasë funksionon me orar të rregullt dhe bazë pedagogjike, ndërsa notat e nxënësve në lëndën e gjuhës shqipe përfshihen zyrtarisht në dëftesat e tyre zvicerane.
“Kjo është një arritje e madhe për ne. Tregon që jemi një strukturë serioze dhe e besueshme për institucionet e vendit pritës. Ne nuk jemi një organizatë e çastit, por një strukturë që funksionon me transparencë dhe profesionalizëm,” thekson ai.
Financimi – hallka më e dobët e zinxhirit
E megjithë këto arritje, LAPSH-i mbetet një strukturë që funksionon mbi baza vullnetare dhe me ndihmën modeste të prindërve. “Çdo mësues që punon tek ne paguhet nga kontributi simbolik i prindërve, jo nga ndonjë buxhet shtetëror. Puna që bëjmë është përkushtim, jo punësim,” thotë Ulaj me një zë që përzien krenarinë me brengën.
“Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës nuk na kanë ndihmuar realisht. Shpesh kemi dëgjuar fjalë të mira, por mbështetja konkrete ka munguar. Ajo që kërkojmë nuk është lëmoshë, por një investim strategjik në ruajtjen e identitetit kombëtar përmes shkollës shqipe.”
Vështirësitë nuk janë vetëm financiare – përçarja e brendshme si sfidë
Përveç mungesës së mbështetjes nga shtetet amë, LAPSH-i është përballur vitet e fundit edhe me një tjetër fenomen shqetësues: përçarjen brenda komunitetit. Në disa kantone të Zvicrës janë shfaqur nisma paralele që synojnë të ofrojnë mësim të gjuhës shqipe nën emra të ndryshëm, shpesh të mbështetur nga struktura të dyshimta apo interesa individuale.
“Këto lëvizje i kanë futur prindërit në huti. Ka një konfuzion të qëllimshëm, ku prezantohet diçka si e re apo më e mirë, por në fakt është përçarje. Kemi parë që edhe mësues që nuk kanë as përvojën dhe as përgatitjen e duhur, ofrojnë kurse si të ishin alternativa zyrtare. Ky është rrezik i madh për fëmijët tanë,” paralajmëron Ulaj.
Ai shton se LAPSH-i nuk është një organizatë private apo e ndonjë grupi të caktuar: “Ne kemi qenë dhe mbetemi të hapur për të gjithë, pa dallim feje, krahine apo ideje. Emri i shkollës është ‘Naim Frashëri’ dhe kjo nuk është rastësi. Naimi na bashkon të gjithëve.”
Ku janë ambasadat? Pse hesht shteti?
Ulaj flet hapur për raportet me përfaqësitë diplomatike. “Ne kemi ftuar ambasadorët shqiptarë në Zvicër në të gjitha aktivitetet tona. Fatkeqësisht, ata prej vitesh nuk kanë marrë pjesë sa duhet. Asnjë sqarim, asnjë kontakt. Është e dhimbshme. As në Kuvend nuk na erdhën. Ne nuk presim ndere personale, por përfaqësim institucional. Jemi duke bërë punën që do të duhej ta bënte shteti.”
Sipas tij, diaspora është një thesar që nuk duhet neglizhuar. “Çdo investim që bëhet në shkollën shqipe është investim në një brez që do ta dojë dhe përfaqësojë Shqipërinë dhe Kosovën me krenari. Nëse shteti nuk e kupton këtë sot, do të jetë shumë vonë nesër,” thekson ai.
Shpresa për të ardhmen: bashkimi dhe veprimi
Në përmbyllje të bisedës, Prof. Ulaj jep një mesazh të fuqishëm:
“Shkolla shqipe nuk është pronë personale, është aset kombëtar.
Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ulemi bashkë dhe të mbajnë fjalën. Nuk do të heshtim! Ta ndërtojmë një strategji të përbashkët kombëtare për mësimin plotësues në diasporë. Le të largohemi nga inatet, interesat personale e krenaritë boshe. Fëmijët tanë kanë nevojë për gjuhën, kulturën dhe identitetin e tyre.”
Me këtë thirrje, ai i mbyll bashkëbisedimik duke na premtuar se sa të jemi me Podcast do ta kemi mysafirë special e duke e konsideruar atë si një ndihmë të rëndësishme për reflektim dhe organizim. “Ne do të jemi këtu edhe vitin tjetër, edhe pas një dekade, sa kohë që kemi një fëmijë shqiptar që dëshiron të mësojë gjuhën e të parëve.”
Ky rrëfim i Prof. Naser Ulajt është më shumë se një intervistë. Është një pasqyrë e sakrificës, përkushtimit dhe dashurisë për gjuhën dhe kombin. Është një thirrje për ndërgjegjësim dhe përkrahje. Sepse, siç thotë ai, “historia nuk do të na falë nëse humbim gjuhën dhe rrënjët tona.” Së shpejti me personazhe të tjera në „9 minuta me Dashnimin“. Fjala e lirë forca e argumentit! Ndërtojmë ura bashkëpunimi! Vazhdojmë…
SAM24.info