30 Vjet Me Mantel të Bardhë në Spitalin Universitar të Cyrihut

Intervistoi: Dashnim HEBIBI, Zürich

Intervistë Ekskluzive me Isa Hajdarin

Nga mërgimi në sukses: Rrëfimi frymëzues i një profesionisti që nderon kombin në një nga institucionet më prestigjioze të Evropës

I nderuar z. Isa Hajdari, përshëndetje dhe mirë se vini!

Kemi kënaqësinë dhe nderin që kësaj here të realizojmë një intervistë me ju, për të ndarë me publikun sukseset tuaja të shumta. Jemi takuar edhe më herët, kryesisht për çështje që lidhen me atdheun dhe për angazhimet tuaja në fusha humanitare, kulturore e sportive. Por sot, duam të ndalemi tek kontributi juaj profesional, veçanërisht në Spitalin Universitar të Cyrihut, ku keni plot 30 vite përvojë të pandërprerë.

 Z. Hajdari, na tregoni pak për rrugëtimin tuaj profesional?

Fillimisht ju falëmderoj edhe juve që po më jepni hapësirë dhe ju uroj punë të mbarë. Jam i nderuar që intervistën e parë ia jap juve, duke e ditur e njohur profesionalizmin tuaj. Sot, pas 30 viteve punë në Spitalin Universitar të Cyrihut, konkretisht në Institutin e Patologjisë, në Laboratorin e Histopatologjisë, mund të them me bindje se ndihem krenar dhe i realizuar. Ka qenë një rrugëtim i vështirë, nisur nga sfidat e mëdha të gjuhës, ambientimit dhe gjetjes së vetes në një sistem të huaj. Por me këmbëngulje dhe përkushtim, gjithçka u arrit.

 A e kishit menduar ndonjëherë që do të qëndronit kaq gjatë larg vendlindjes?

Për të qenë i sinqertë, jo. Planet e mia fillestare ishin të kthehesha sa më parë në vendin tim dhe të kontribuoja atje. Por jeta në mërgim shpesh merr kahje që nuk i parashikon dot.

Na flisni për fillimet tuaja në Zvicër dhe si arritët të vendoseni profesionalisht?

Nga viti 1995 deri në 2000 kam punuar në Repartin e Kirurgjisë së Zemrës si Teknik Asistent. Në të njëjtën kohë, kam ndjekur intensivisht kurset e gjuhës gjermane dhe kam luftuar për njohjen e diplomës sime nga Kosova. Me shumë mund dhe përpjekje, provime shtesë dhe vullnet të palëkundur, arrita ta njohin edhe këtu diplomën time.

Si e përjetuat ambientimin fillestar në një sistem të avancuar shëndetësor si ai zviceran?

Ditët e para ishin tejet të vështira. Nga Kosova vinim me një nivel të kënaqshëm teorik, por këtu u përballa me një praktikë shumë më të avancuar. Duhej të përshtatesha shpejt, të mësoja teknika dhe qasje të reja për të qenë në hap me kërkesat profesionale.

Si është përfaqësimi i shqiptarëve në Spitalin Universitar të Cyrihut sot?

Nuk kam një numër të saktë, por mund të them me bindje se nuk ka repart në këtë spital ku nuk ka shqiptarë nga të gjitha trojet tona. Kjo më bën të ndihem jashtëzakonisht krenar.

A ka ndonjë figurë të njohur shqiptare në mjekësinë zvicerane që do të veçonit?

Po, natyrisht. Një nga figurat më të njohura është Prof. Dr. Omer Xhemali, shef i Kardiokirurgjisë. Një personalitet që na nderon të gjithëve.

 A dëshironi të kontribuoni në Kosovë në të ardhmen?

Dëshira ime është që jo vetëm unë, por edhe të gjithë profesionistët tanë të kishim mundësi të kontribuonim në vendin tonë. Kjo do të ishte ëndrra më e madhe për mua.

 Keni ndjekur nga afër zhvillimet në sistemin shëndetësor në Kosovë?

Po. Kur mori detyrën e Ministrit të Shëndetësisë i nderuari Dr. Rifat Latifi, patëm një shpresë të madhe. Mendonim se më në fund do të kishte lëvizje, por duket se edhe ai e pati shumë të vështirë. Personalisht, me kënaqësi do t’i shërbeja vendit tim edhe si Ministër i Shëndetësisë, nëse do të më ofrohej një mundësi e tillë. Por besoj se ka shumë të tjerë që e meritojnë këtë detyrë.

Dua të përmend këtu edhe Institutin për Avancim Kombëtar, nën udhëheqjen e Prof. Rexhep Gashit dhe Prof. Dr. Fadil Çitakut, si dhe shumë specialistë të tjerë të të gjitha fushave që prej kohësh kemi ofruar ndihmën tonë qeverisë së Kosovës, por deri tani nuk kemi hasur në përkrahje. Shpresojmë që gjërat të ndryshojnë.

Si e shihni gjeneratën e re shqiptare në Zvicër?

Gjenerata e re është shumë mirë e integruar dhe po ndjek rrugën e shkollimit dhe avancimit në të gjitha fushat. Më gëzon fakti që shumë prej tyre ndjekin edhe shkollat plotësuese të gjuhës shqipe, që është për t’u admiruar. Ne, si prindër, kemi për obligim të organizohemi më mirë dhe të krijojmë mundësi që fëmijët tanë të lidhen dhe të njihen më mirë me njëri-tjetrin.

Ku mendoni se do ta kaloni pensionimin?

Edhe pse ka ende kohë, besoj se do të jetë e ndarë. Një pjesë të kohës e shoh në vendlindjen time Buricë, një pjesë në Gjilan dhe pjesën tjetër këtu në Cyrih.

Cili është mesazhi juaj për të rinjtë dhe për vendimmarrësit në Kosovë?

Mesazhi im është i qartë: Të rinjve dhe të rejave që janë shkolluar jashtë vendit duhet t’u jepet mundësia që të marrin në dorë drejtimin e vendit dhe ta çojnë përpara me dije, ndershmëri dhe përkushtim.

Me çfarë aktivitetesh merreni jashtë punës?

Jam aktiv në sport. Kam ndihmuar për një kohë të gjatë klubin FC Kosova Zürich, dal vrapoj dhe ec shumë në natyrë. Së fundmi, po bëhem pak nervoz me parlamentarët tanë, por shpresoj se edhe atyre do t’u vijë fundi – nga gjyqi i popullit.

Z. Isa Hajdari, ju faleminderit për këtë intervistë të sinqertë dhe inspiruese. Urojmë që shembulli juaj të frymëzojë shumë të tjerë, si në diasporë ashtu edhe në Kosovë.

Ju lutem. Ishte nder edhe për mua të kem këtë intervistë me Ju i nderuar.

Artikujt e fundit

Phd. Llukman Halili, i papërsëritshmi

Mjafton të përmendet emri dhe mbiemri i tij që...

Takim i veprimtarëve të Luginës së Preshevës në Ambasadën e Shqipërisë në Bernë

Përgaditi:Dashnim HEBIBI Kërkohet më shumë mbështetje nga shtetet shqiptare dhe...

Vaxhid Xhelili, poeti që sfidon moshën me pedale udhëtimesh

Nga: Dashnim Hebibi Deri në momentin e fundit, Vaxhid Xhelili...

Ambasadori kroat promovon në Prishtinë, librin Kritika e mendjes politike

Libri `Kritika e mendjes politike`, i autorit Zlatko Kramariç,...

FHPBM– Zvicër mbajti Kuvendin e 11-të Zgjedhor në Wetzikon

Wetzikon, 11 maj 2025 – Në një atmosferë të...

NA NDIQNI NE RRJETET SOCIALE

506FansLike

“Shqipëria dhe Mali i Zi mund të anëtarësohen në BE para të tjerëve”

“Zgjerimi në Ballkanin Perëndimor është edhe një herë një...

Phd. Llukman Halili, i papërsëritshmi

Mjafton të përmendet emri dhe mbiemri i tij që...

Takim i veprimtarëve të Luginës së Preshevës në Ambasadën e Shqipërisë në Bernë

Përgaditi:Dashnim HEBIBI Kërkohet më shumë mbështetje nga shtetet shqiptare dhe...

Vaxhid Xhelili, poeti që sfidon moshën me pedale udhëtimesh

Nga: Dashnim Hebibi Deri në momentin e fundit, Vaxhid Xhelili...

Ambasadori kroat promovon në Prishtinë, librin Kritika e mendjes politike

Libri `Kritika e mendjes politike`, i autorit Zlatko Kramariç,...

FHPBM– Zvicër mbajti Kuvendin e 11-të Zgjedhor në Wetzikon

Wetzikon, 11 maj 2025 – Në një atmosferë të...

Vijon procesi numërimit të votave në Tiranë, sa vota kanë marrë partitë

Një ditë pasi shqiptarët shprehën vullnetin e tyre në...

Rezultatet e orës 06:00, numërohen 977 zarfat e parë me votat e diasporës

Deri në orën 06:00 të mëngjesit të kësaj të...

PS kryeson në rang vendi, Rama: Çfarë agimi ky sot!

Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e kësaj...

Reklama

spot_img

Artikuj të ngjashëm