Nga: Dashnim HEBIBI
Tiranë/Bernë, 10 maj 2025 – Vetëm 13 orë na ndajnë nga dita e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, një ditë vendimtare për të ardhmen e vendit. Me 3.7 milionë votues të regjistruar, përfshirë edhe ata që votojnë për herë të parë dhe përfaqësues të diasporës, vendi përgatitet për një proces që do të përcaktojë rrugën drejt stabilitetit dhe zhvillimit.
Mërgata shqiptare, si gjithmonë, mbetet thellësisht e lidhur me fatet e atdheut. Nga Zvicra, Gjermania, Austria e deri në Amerikë e Australi, shqiptarët në diasporë po e ndjekin me vëmendje të madhe këtë proces. Shpresat janë të qarta: të fitojë ai që mban të rinjtë në vend, rrit rrogat, garanton siguri dhe zhvillim të qëndrueshëm. Mbi të gjitha të kalojnë pa ndoj problem!
Veçanërisht mërgata nga Lugina e Preshevës, që vepron në Zvicër, nesër në ora 11:30 do të jetë e pranishme në një takim në Ambasadën e Shqipërisë në Bernë.
Mbi 20 shoqata nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja do të zhvillojnë një takim me Sekretarin e Parë të Ambasadës, z. Valon Gashi, dhe stafin diplomatik, për të diskutuar rreth një unifikimi të strukturës së mërgatës së asaj ane dhe për të shprehur mbështetjen për një Shqipëri më të fortë.
“Një Shqipëri e fortë, i bën të gjithë shqiptarët më të fortë – kudo që jetojnë,” është mesazhi i përcjellë nga ky takim. Emocionet janë të larta dhe ndjenja e përkatësisë kombëtare më e fortë se kurrë.
Në shifra:
- 3,713,761 qytetarë me të drejtë vote
- 114,642 persona votojnë për herë të parë
- 11 subjekte zgjedhore me 2046 kandidatë për 140 ulëse në Kuvend
- 5,225 qendra votimi të hapura nga ora 07:00 – 19:00
- Diaspora e regjistruar voton me postë, të tjerët mund të udhëtojnë për të votuar në vendlindje
Vetëm njësia 10 në Tiranë dhe Bashkia e Vorës do të përdorin teknologjinë elektronike; në pjesën tjetër të vendit votimi do të zhvillohet me fletë votimi.
SAM24.info do të ndjekë nga afër atmosferën në diasporë dhe rrjedhën e zgjedhjeve në Shqipëri.